Në Qendrën e Artizanatit, e cila gjendet në Qafën e Pazarit, zemra e pjesës historike të qytetit, tregtohen artikuj të zejtarisë së vërtetë shqiptare. Kjo qendër u hap në maj 2007 nga  Organizata për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Gjirokastrës Historike në bashkëpunim me Konfederatën e Artizanatit Shqiptar (KASH) me synimin për mbrojtjen dhe zhvillimin e traditave lokale të  artizanatit dhe zejtarisë. Këtu vizitorit i paraqiten rreth 450 punime nga 45 artizanë të Gjirokastrës dhe të krahinave të ndryshme të tjera të Shqipërisë.

Qendra është pjesë e një projekti më të madh të GCDO-së, “Inkubatorit të Artizanatit”, i cili do të sjellë formim profesional dhe trajnim për breza të rinj artizanësh dhe zejtarësh, ndërkohë që shitja e prodhimeve të tyre synohet të sigurojë mbështetjen e duhur financiar për jetëgjatësinë e Qendrës.

Në qendrën e Artizanatit gjenden shembuj të mjeshtërive tradicionale apo të reja të gdhendjes (në dru dhe gur), përpunim metali (hekur, bakër dhe argjend), endje tekstilesh dhe qilimash, qëndisje, vizatim dhe pikturë, punim mozaiku etj.

Në plan afatgjatë Qendra e Artizanatit dhe Inkubatori synojnë nxitjen dhe mësimin e aftësive të punimit dhe tregtimit të prodhimeve artizanale, si një bazë e mirë për të promovuar turizmin në Gjirokastër, duke zhvilluar më tej traditat lokale në këtë fushë. Për këtë qëllim, me përfaqësues të komunitetit lokal organizohen grupe mësimore të artizanatit, që zhvillojnë demonstrime, punë praktike, njohuri të marketingut, ekskursione profesionale të shkëmbimit të përvojës në rrethe të tjera të Shqipërisë etj.