Nga Gjirokastra në Përmet

Ujëvarat e Grykës së Këlcyrës

Përmeti ndodhet 60 kilometra nga Gjirokastra duke marrë rrugën drejt veriut për në Tepelenë. Pak para Tepelenës merret kthesa djathtas dhe më pas kalohet mbi urën e madhe të Dragotit. Këtu ia vlen të ndalesh pak për të shijuar bukurinë e luginës së Vjosës, një nga perlat e peizazhit shqiptar. Ura e Dragotit u ndërtua nga italianët para Luftës së Dytë Botërore. Fshati me të njëjtin emër ndodhet në lartësi të shpatit të kodrës mbi urë. Për në Përmet duhet marrë rruga më të djathtë. Rruga përshkon Grykën e Këlcyrës, një kanion i thellë me bimësi të harlisur.     

Më pas është qyteti i vogël, por plot me histori e Këlcyrës, i njohur për prodhimin e verës dhe përpunimin e frutave. Sarajet e rrënuara të bejlerëve të Këlcyrës, që dikur zotëronin gjithë krahinën, qëndrojnë mbi qytet.

Pamje e Përmetit

Kur mbrrini në Përmet nuk mund të mos ju bjerë në sy një shkëmb gjigant që ngrihet mbi brigjet e lumit Vjosë. 48 metra i lartë, ai të jep përshtypjen sikur është vendosur aty me qëllim nga dora e ndonjë vigani. Një shëtitje rrotull lagjes së vjetër është një përvojë interesante, siç është dhe një drekë buzë rrjedhës së Vjosës! Përmeti është i njohur në mbarë Shqipërinë për mikpritjen dhe gatimet e shkëlqyera. Ia vlen të shihni edhe kishën e shekullit të XII të Shën Mërisë në Kosinë dhe atë të shekullit XVIII të Leusës. Përmeti ka 15 kisha të tjera dhe 4 xhami.