Antigoneia

Antigoneia ishte një qytet jetëshkurtër që jetoi veç rreth 150 vjet. Themelimi i qytetit lidhet me një nga emrat më të famshëm të antikitetit, mbretin Pirro të Epirit (319-272 p.e.s.), i  njohur sidomos për shprehjen “fitore si e Pirros”. Në fillim të shek III p.e.s Pirro u detyrua të shkonte në luftë në Egjipt, ku aftësitë e tij tërhoqën vemendjen e Berenices, gruas së mbretit Ptoleme të Egjiptit, e cila i afroi atij dorën e vajzës së saj, Antigoneas. Në mirënjohje të vjehrrës dhe gruas së tij të parë, Pirro vendosi të ndërtonte një qytet të ri me emrin Antigoneia.

Fitorja e Republikës Romake në luftën me ushtritë maqedonase të mbretit Filipi V pati pasoja fatale për Antigonenë. Pas fitores përfundimtare të vitit 167 p.e.s., Roma i dënoi ashpër epirotët që kishin luftuar kundër saj si aleate të Maqedonisë. Konsulli romak Pal Emili urdhëroi plaçkitjen dhe shkatërrimin e 70 qyteteve të Epirit, duke përfshirë edhe Antigonenë. Qyteti nuk u rindërtua më kurrë.

Nga Gjirokastra në Antigone

Për të shkuar në qytetin antik të Antigonesë duhet të dilni nga Gjirokastra dhe të merrni drejtimin për në fshatin Asim Zeneli, që është qendra më e madhe në komunën e Antigonesë. Ky është një fshat i madh dhe i mirëorganizuar. Në periudhën komuniste këtu është ngritur e para kooperativë blegtorale në Shqipëri. Në qendër të fshatit, pranë zyrave të Komunës ndodhet zyra e Parkut Kombëtar të Antigonesë,  ku mund të gjeni informacion dhe ndihmë për vizitën tuaj në qytetin antik.

Duke ndjekur rrugën e pashtruar mbërrini në fshatin tjetër, Krinë; mbani djathtas pranë një rrapi të lashtë, duke ndjekur një rrugë të pashtruar e herë-herë të ashpër. Kur t’i afroheni fshatit Saraqinishtë, një shenjë rrugore ju tregon djathtas kthesën për në kodrën e Jermës, ku shtrihet qyteti antik i Antigonesë. I gjithë udhëtimi zgjat rreth 45 minuta.

Në Saraqinishtë ka dy kisha të shekullit të XVI-XVII. Çelësat e tyre i mban një banor i fshatit (dhe roja i Parkut) me emrin Pilo shtëpia e të cilit, me një arrë të madhe të lashtë në oborr, do ju tërheqë menjëherë vëmendjen.

Roja mund t’ju tregojë  për gërmimet dhe gjetjet ne Antigone, disa nga të cilat, si një sfinks prej bronzi dhe një statujë e Posedonit, janë ekspozuar në muzetë e Tiranës. Sot mund të shihen një numër përbërësish të qytetit të lashtë, që janë zbuluar nga arkeologu shqiptar Dhimosten Budina në vitet ’70 dhe më pas nga një ekip shqiptaro grek nën drejtimin e Kostantinos Zachos, nga  Eforia arkeologjike greke e Janinës. Më përshtypjelënëse ndër to janë muret e qytetit të shkatërruara nga romakët, të cilat rrethonin krejt kodrën. Pjesa më e dukshme e mbetjeve të mureve ndodhet në pjesën jugperëndimore të qytetit. Në qendër të qytetit është ekspozuar një rrugë e tërë. Duke ecur në drejtim të skajit jugor të qytetit mund të kaloni pranë ndërtesave të tjera dhe një pjese të bukur të mureve rrethuese. Shëtitja përfundon tek një kishë e krishterimit të hershëm me formë trekëndore, që qëndron mbi një greminë të thellë dhe thikë të pjerrët. Kjo kapelë, një nga pak ndërtimet e bëra pas plaçkitjes së qytetit nga romakët, ka një dysheme të zbukuruar me mozaik.