Udhëtimi për në Gjirokastër

Gjirokastra shtrihet në Jug të Shqipërisë, në shpatin e pjerrët lindor të Malit të Gjerë. Ajo ndodhet 232 kilometra larg nga kryeqyteti, Tirana, 31 kilometra nga Kakavia, pika kufitare me Greqinë dhe 56 kilometra nga Saranda, qyteti-port që lidh Shqipërinë jugore me Korfuzin. Qytetarët e shumicës së vendeve perëndimore nuk është e nevojshme të pajisen me viza. Vizitorët duhet të paguajnë kur hyjnë një taksë prej 10 €, nga e cila janë të përjashtuar çekët dhe polakët. Për informacionet më të fundit konsultohuni me faqen në internet të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, në   shqip dhe anglisht në adresën www.mfa.gov.al.

Përmes ajrit:

Me avion në Shqipëri arrihet përmes aeroportit “Nënë Tereza”, në Rinas, pranë Tiranës. Por ju mund të vini në Korfuz dhe pastaj me traget të mbërrini në Sarandë e më pas me taksi në Gjirokastër. Gjithashtu mund të fluturoni për në Janinë, në Greqinë veriore (90 km nga Gjirokastra) dhe pastaj të udhëtoni me taksi për në kufi në Kakavijë e, prej andej, po me taksi për në Gjirokastër. Ka dhe një autobus të përditshëm që niset në ora 6.00 nga stacioni qendror i autobusave të Janinës. Kurse autobusat greke Ktel shkojnë deri në kufi me Shqipërinë disa herë në ditë. Ndërsa në anën shqiptaret të kufirit ju presin mikrobusë që ndalojnë pak më tej nga stacioni i taksive pranë pikës së furnizimit me karburant.    

Me traget:

Ky shërbim është në tre porte shqiptare. Durrësi dhe Vlora nga Italia, ndërsa Saranda lidhet me ishullin grek të Korfuzit.
Gjatë verës ka disa tragete dhe motoskafë të përditshëm (motoskafët nuk udhëtojnë gjatë dimrit për shkak të detit të trazuar). Verifikoni kohën e nisjes, sepse ato ndryshojnë gjatë vitit. Trageti e kryen udhëtimin për rreth një orë e gjysmë, ndërsa motoskafi për 45 minuta. Biletat priten në kabina brenda portit. Sektori ndërkombëtar i portit të Korfuzit është në skajin lindor, ku është edhe dogana dhe “duty free shop”.  Pasi të kaloni doganën, pritni në sallë pranë “duty free shop” derisa kapiteni i anijes t’ju thërrasë. Kur hipni, personeli do ju mbledhë pasaportat për të kryer me to formalitet e duhura; me të arritur ato u dorëzohen zyrtarëve të doganës shqiptare, që do ju shoqërojnë për tek zyra e imigracionit. Aty do të paguani shumën prej 10 € dhe do ju japin një letër të bardhë që është viza juaj për të dalë nga porti; ruajeni atë që të mos ju humbasë. Nga Saranda ka autobusë për në Gjirokastër në orën 11.30, 13.00 dhe 14.30, të cilët nisen nga stacioni i autobusave rreth 15 minuta larg më këmbë nga porti. Udhëtimi për Gjirokastër zgjat rreth një orë.    

Përmes rrugëve automobilistike:

Gjirokastra ndodhet në arterin rrugor veri-jug të Shqipërisë që lidhet me kufirin grek. Rruga nga Tirana ndjek këtë itinerar: Tiranë-Durrës-Kavajë-Rrogozhinë-Lushnje-Fier-Ballsh-Tepelenë-Gjirokastër. Me makinë kjo rrugë prej 232 km bëhet për rreth 5 orë për shkak të kushteve të rrugës. Me autobus shkon 6 deri 7 orë në varësi të numrit të ndalesave.

Autobusët nisen nga Tirana në pika të ndryshme në vartësi të destinacionit, nga të cilët asnjë nuk është pranë qendrës së qytetit. Gjëja më e mirë për të gjetur pikënisjen e autobusit është të marrësh një taksi dhe t’i tregosh shoferit destinacionin. Taksia kushton 300 deri në 500 lekë, ndërsa autobusi për Gjirokastër 1000 lekë. Udhëtimi me taksi nga Tirana në Gjirokastër kushton nga 13 000 në 16 000 lekë. 

Autobusët nga Durrësi për në Gjirokastër kanë pikënisje stacionin e trenit në orën 6.30. Nga Vlora ata nisen tek vendi i quajtur “Xhamia”, në qendër të qytetit, në orën 6.30.

Rrugë të tjera për në Gjirokastër

Nëse doni të shkoni në Gjirokastër nga një rrugë jo e drejtpërdrejtë, por shumë e bukur përgjatë bregdetit të njohur me emrin “Riviera shqiptare”, duhet të udhëtoni përmes Vlorës në Qafën e Llogarasë dhe të vazhdoni përgjatë bregdetit të Jonit, duke kaluar përmes qendrave të pushimit Dhërmi, Vuno, Himarë, Borsh, Lukovë, derisa të arrini në Sarandë. Prej aty merrni rrugën që të fut në thellësi të vendit drejt Gjirokastrës. Ky rrugëtim nga Tirana merr rreth 4 deri 5 orë më shumë se sa përmes rrugës jug-veri.

Udhëtarët që vijnë nga Shqipëria lindore ose Maqedonia mund të rrugëtojnë përmes Elbasanit dhe Rrogozhinës, duke marrë një kthesë majtas në Fier. Ka edhe një rrugë më të ngadalshme, por spektakolare përmes Pogradecit, Korçës, Ersekës, Leskovikut, Përmetit, Grykës se Këlcyrës, Ujit të Ftohtë në Tepelenë, dhe pastaj në Gjirokastër. Korça ndodhet 195 km nga Gjirokastra, rreth 6 orë me autobus.

DISTANCA NGA GJIROKASTRA:
GJIROKASTËR – VLORË  144km
GJIROKASTËR - TIRANË    232km
GJIROKASTËR – TEPELENË   32km
GJIROKASTËR – SHKODËR  322km
GJIROKASTËR – SARANDË   56km
GJIROKASTËR – POGRADEC  234km
GJIROKASTËR – PËRMET  62km
GJIROKASTËR – PESHKOPI    393km
GJIROKASTËR – KORÇË   195km
GJIROKASTËR – FIER   118km
GJIROKASTËR – ERSEKË    150km
GJIROKASTËR - ELBASAN   208km
GJIROKASTËR – DURRËS      
202km
GJIROKASTËR – DELVINË 45km
GJIROKASTËR – BERAT   121km
GJIROKASTËR – BAJRAM CURRI  435km
GJIROKASTËR - BUTRINT  75km