Heroinat partizane

Monumenti heroinave

Në sheshin qendror të qytetit është një monument i gurtë, që paraqet dy vajza me një  qëndrim heroik me litar në qafë. Monumenti nderon dy vajza të reja partizane Bule Naipi dhe Persefoni Kokëdhima, që u varën nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore më 1944.

Personalitete e qytetit

Në të djathtë të hotelit “Çajupi” ka një monument të ndërtuar kohët e fundit nga Bashkia kushtuar tre qytetarëve të njohur të Gjirokastrës, të cilëve u është dhënë titulli “Nderi i Qytetit”: Eqrem Çabej gjuhëtar i shquar, shkrimtari Ismail Kadare, dhe Musine Kokalari, shkrimtare dhe bashkëthemeluese e Partisë Socialdemokrate Shqiptare më 1943. Musine Kokalari kaloi 37 vjet në burgjet e regjimit komunist dhe vdiq e harruar në veri të Shqipërisë.

Monumenti i Çercis Topullit

E vendosur në sheshin kryesor që ka marrë emrin e luftëtarit të  famshëm të Pavarësisë Kombëtare Çercis Topulli,  statuja është vepër skulptorit të madh shqiptar Odhise Paskali. Çerçizi dhe vëllai i tij Bajo Topulli janë nga një familje ndër më të njohurat në Gjirokastër. Ata ishin udhëheqës të një çete patriotike që luftonte kundër pushtimit osman. Çeta vrau më 1908 bimbashin turk, shefin e policisë së Gjirokastrës.  Po ta shihni me kujdes statujën do dalloni një vrimë në kofshën e djathtë, që u shkaktua nga të shtënat me revolver të një oficeri të dehur italian gjatë Luftës së Dytë Botërore. 

Obelisku

Obelisku

Ky monument, i quajtur “Mëmëdheu ABC”, është ngritur në nderim të arsimit në Shqipëri në shekullin XX. Prej këtu pamjet e qytetit janë mahnitëse, veçanërisht lagja historike Varosh (poshtë), Palorto (kodra në të majtë) dhe Dunavat (kodra më lart në të majtë). Në ndërtesën pranë u hap më 1908 shkolla e parë shqipe në Gjirokastër. Nën sundimin osman shkollat shqipe nuk lejoheshin, prandaj ky ishte një akt i madh heroizmi për rizgjimin e ndërgjegjes kombëtare gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ky është edhe vendi ku jetoi një nga bijtë më të shquar të qytetit, Eqrem Çabej. Sot ndërtesa është seli e Zyrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Gjirokastrës. 

Ura e Ali Pashës

E njohur si Ura e Ali Pashës monumenti në të vërtetë është i vetmi hark që ka mbetur nga ai çka në shekullin XIX ishte një rrjet i tërë ujësjellësish. Ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena, ujësjellësi furnizonte sterat e kalasë me ujë nga një largësi prej gati 12 kilometrash. Ekskursioni për të parë urën, e cila është në lartësitë e lagjes Manalat, zgjat dy orë duke u nisur që nga Zyra e Informimit Turistik, ku mund të merrni dhe udhëzimet përkatëse. Pjesa më e madhe e rrugëtimit është nëpër qytet, por 10-15 minuta do të ecni në një shteg malor. Rekomandohet që të mbathni këpucë të përshtatshme për terren me zhavorr dhe një kapelë që t’ju mbrojë nga rrezet e diellit nëpër rrugën që nuk ka shumë hije.