Eduard Lir (Edward Lear)

Edward Lear (1812 -1888) lindi në Highgate, Londër dhe ishte fëmija e 20-të i një agjenti burse. I refuzuar nga e ëma, ai u rrit nga motra e vet Ann, që ishte 21 vjet më e madhe. Ai vuante nga epilepsia, të cilën Lear e quante “Djalli” dhe, që 6 vjeç, ishte i prirë për ndryshime të befta humori si dhe periudha depresioni që i quante “të frikshme”. I edukuar nga motrat Ann dhe Sara, dha shenja për prirje artistike që në moshë të re. Për shkak të dështimit të të atit në karrierë dhe pamundësisë së këtij për të mbajtur familjen Lear u detyrua të fitonte mjetet e jetesës që nga mesi i vitit 1820.      
Në 1848 Lear-i nisi një udhëtim përmes Greqisë për në Stamboll. Udhëtimi i tij morri një kthesë të papritur, kur ambasadori britanik në kryeqytetin osman arriti t’i siguronte dokumentet për të vazhduar përmes zonave të perandorisë që konsideroheshin “të egra”. Duke marrë rrugën përmes Selanikut dhe Manastirit, ai udhëtoi në Ohër, Strugë, Elbasan, Tiranë, Krujë, Lezhë dhe Shkodër. Pas disa ditësh u kthye në Tiranë dhe vazhdoi drejt jugut në Kavajë, Berat, Ardenicë, Apoloni, Vlorë, bregdetin e Himarës, Tepelenë, Gjirokastër dhe më tej në Janinë. Shumë nga peizazhet dhe skicat që bëri gjatë udhëtimit regjistrojnë një dokumentim të përpiktë të Shqipërisë së mesit të shekullit XIX. Pas kthimit në Angli ai botoi “Ditarët e një peizazhisti në Shqipëri” (1851)    
Lear-i ishte tepër entuziast për peizazhet e jashtëzakonshme dhe kishte një sy e vesh të mprehtë për çka shihte e dëgjonte në udhëtimet e tij. Talenti origjinal si peizazhist, gjallëria e përshkrimeve në librat e udhëtimit dhe korrespondenca e këndshme e bënë Lear-in një nga udhëtarët më të dashur të shekullit XIX.   
Fragmenti që vijon është një përshkrim i Shqipërisë nga Lear në “Ditarët e një peizazhisti në Greqi dhe Shqipëri”, 1848:

"Për turistin e pamësuar Shqipëria është një rebus nga më të ngatërruarit. Çfarëdo që ai ka mësuar për emërtimet e vjetra Epir, Molosët, Tesprotët etj.  kalaqafet dhe ngatërrohet nga emrat e  njësive administrative turke dhe pashallëqet; për më tepër, si kërcu përmbi samar, turistin e shkretë e hutojnë edhe më keq një takëm emrash autoktonë si Çamëria, Dibra etj. Dhe sapo ai nis të kuptojë potpurinë laramane që banon këto provinca – grekë, sllavë, shqiptarë, bullgarë ose vllahë, përsëri pëson një trullosje nga një listë tjetër nënndarjesh, lebër, mirditorë, himarjotë dhe toskë. Raca, fe dhe emërtime kombëtare duken të përcaktuara kaq keq ose kaq të kokolepsura, sa në fund turisti do të dorëzohej i dëshpëruar nga ky studim shastisës, nëse nuk do i vinin në ndihmë shumë libra të shkëlqyer që janë botuar lidhur me këtë temë.