Lord Bajroni

Lord Bajroni (1788-1824) fillimisht u pagëzua me emrin e gjyshit të tij Xhorxh (George) Gordon.  Në moshën 10 vjeçare, pas vdekjes së xhaxhait, ai mori titullin Baroni i VI Bajron (Byron). Ai dhe e ëma u braktisën nga i ati dhe kjo bëri që djaloshi të vuante  mungesën e rolit të një modeli të fortë që do të mund të mbante në kontroll dellin e tij rebel. Megjithëse u edukua në Harrow dhe në Trinity College në Kembrixh, ku zhvilloi prirjen tij për histori dhe letërsi, Bajroni mbeti gjithë jetën një romantik aventurier.  

Pas universitetit ai botoi disa vëllime, duke përfshirë Orët e ngesë (1807), e cila u kritikua rëndë. Më 1809 ai la Britaninë duke udhëtuar në shumë vende, përfshirë Shqipërinë. U kthye në atdhe më 1812 dhe botoi Shtegtimi i Çajld Haroldit, një poemë narrative gjerësisht autobiografike, e cila tregon historinë e zhgënjimeve të një djaloshi të ri që bënte një jetë ekstravagante dhe përpjekjet e tij për të gjetur përmbushjen e vetvetes ndërsa endet nëpër dhera të huaja. Libri pati sukses të madh dhe Bajroni vazhdoi të botonte disa vepra të tjera, ndërsa popullariteti i tij rritej. Vepra e tij më me ndikim ishte Don Zhuani, vepër shumë më humoristike dhe satirike se sa Shtegtimi i Çajld Haroldit, të cilën autori nuk arriti ta përfundonte para se të linte Britaninë për herë të fundit më 1823. Bajroni vdiq nga ethet në Mesolongji në prill 1824, ndërsa luftonte për pavarësinë e Greqisë kundër turqve osmanë, gjë për të cilën grekët e nderojnë si hero kombëtar.
Vizitat në Shqipërinë e jugut më 1809 i bënë Lord Bajronit përshtypje të madhe. Ai gjeti tek shqiptarët një joshje të veçantë, të cilën e përshkruan në shënimet që i shërbyen për të shkruar Shtegtimin e Çajld Haroldit. Ai thotë se shqiptarët “më bënë përshtypje të thellë me ngjashmëritë me malësoret e Skocisë, në veshje, në pamje dhe mënyrën e jetesës. Malet ku ata jetonin dukeshin si ato kaledoniane, por me klimë më të butë. Fustanella, porse e bardhë; shtati i thatë, trupi plot gjallë, dialekti i tyre, që tingëllon si e folura kelte…” Në verë 1813 ai veshi një kostum shqiptar që e pati blerë në Janinë dhe pozoi për portretin elegant që i bëri Thomas Philips.
Vargjet e mëposhtme të marra nga Shtegtimet e Çajlld Haroldit përshkruajnë udhëtimin e tij drejt veriut përmes luginës së lumit Drino.

Agimi lind: me ‘të po çohen brigjet
E Shqipëris’ së rreptë, shkëmb i Sulit,
Dhe larg të Pindit çuka me mjegull veshur,
Të lara prrenjsh të bardhë si dëbora
Me ngjyra mashkullore e kuqërreme,
Dhe ndërsa retë nisin të shpërndahen,
Spikasin tbanat e malësorëve:
Këtu bredh ujku-shqiponja sqepin mpreh-
Zogj-bisha-njerëz t’egër zën’ e duken
Stuhitë rrotull tundin motin që mbaron.
Haroldi tash e ndjeu veten vetëm;
I la shëndenë botë së krishterë
Po nisej për në trevë të panjohur-
Shumëkush e mburr, pakkush guxon ta shohë;-
Pat armatosur parzmin kundër fatit;
Rrezik s’ kërkonte por as nuk i shmangej;
Vërtet qe e egër skena, por e re;
Kjo udhën plot mundim ia bëri t’ëmbël,
Të mos e ndjente dimrin e t’i dukej verë.
Kufit’ e Epirit sprapsen, malet ulen;
Syt’, e lodhur së vështruari përpjetë,
Me gaz po prehen në livadh të butë,
Siç e mbulon Pranvera m’af të barit;
Dhe e fushës bukuri nuk është e vogël
Kur ndonjë lum i madh e çan përmes,
Lisat i tundin degët sipas rripës,
Vallëzojnë hijet në pasqyrë të ujit
Që rreze e hënës i ndriçon në mes të natës. 

Dielli po perëndon përtej Tomorit,
E Vjosa vjen me valë të egërsuar;
Hijet e natës po mbulojnë dhenë.
Tek rusej me kujdes tërthores thikë,
Haroldi pa, si meteor në qiell,
Xhamit’ e ndritura të Tepelenës
Dhe muret e kalasë përmbi lumë.
Sa qasej, ndjente zhurmë luftëtarësh
E cila shtonte flladin vajtimtar të grykës.

(sipas shqipërimit të Skënder Luarasit)