Nga Gjirokastra në Libohovë

Pamje nga Kalaja e Libohovës,

Libohova dominohet nga një fortesë e fuqishme. Një rrugë kryesore plot gjelbërim e përshkon qytetin mes përmes nga ku shpalosen pamje nga perëndimi të luginës së lumit Drino. Për të shkuar atje, duhet të merrni rrugën për në jug në drejtim të Kakavisë dhe pas rreth 15 km të drejtoheni në lindje tërthor luginës, siç tregon tabela rrugore. Libohova shpaloset në këmbët e malit Bureto. Zbulimet arkeologjike tregojnë një vendbanim shumë të lashtë, i cili pati kulmin e vet në shekullin XVII. Libohova ka qenë qendra e familjes me të njëjtin emër, një familje e madhe e mirënjohur, që kishte ndikim të madh politik në periudhën para komunizmit.

Pamje e rrugës kryesore në Libohovë

 

Kalaja e Libohovës, me katër kulla shumëkëndëshe nëpër qoshet dhe murin që rrethon një sipërfaqe të gjerë, është një fortesë me përmasa të konsiderueshme. Motra e Ali Pashë Tepelenës, Shanisha u martua me një nga anëtarët më të rëndësishëm të   familjes Libohova dhe kalaja ishte paja e Ali Pashës  për të motrën. Shanishaja prehet në varrezat në jugë të kalasë.   

Pamje e rrapit 4 shekullor

 

Në qendër të qytetit ka një rrap madhështor shumë të vjetër, ku ndodhet një bar restorant. Në pjesën qendrore të rrugës kryesore ndodhet shtëpia e Myfit Bej Libohovës (1876–1927), një politikan i njohur, anëtar i Qeverisë së vitit 1912, ministri i parë i brendshëm dhe i jashtëm në historinë politike të Shqipërisë. Shtëpia bie në sy menjëherë me përmasat e saj.