Ismail Kadare

Ismail Kadare, shkrimtari shqiptar fitues i çmimeve ndërkombëtare, ka lindur në Gjirokastër më 1936. Të përkthyer në më shumë se 30 gjuhë, librat e tij kanë një tërheqje ndërkombëtare. Kadare ka qenë kandidat për çmimin Nobel për Letërsi dhe në 2005 fitoi çmimin Man Booker International Prize. Dy nga veprat e tij janë ekskluzivisht për Gjirokastrën: “Kronikë në gur” dhe ”Çështje të marrëzisë”, të cilët janë përkthyer në anglisht, frëngjisht dhe gjuhë të tjera.

Shtëpia e tij e fëmijërisë ndodhej në lagjen Palorto, në zemrën e qytetit historik, jo larg nga Pazari i qytetit. Ajo u dëmtua nga zjarri dhe tani po restaurohet nga Instituti i Monumenteve të Kulturës.

Në 1990, përpara rënies së regjimit komunist në Shqipëri, ai shkoi në Francë, ku kërkoi dhe mori strehim politik, kohë në të cilën ai citohet të ketë thënë “diktatura dhe letërsia e vërtetë janë të papajtueshme... Shkrimtari është një armik natyral i diktaturës” . Anëtar i Akademisë Franceze dhe  Kalorës i Legjionit të Nderit, ai mban edhe medaljen më të rëndësishme Shqiptare: Nderi i Kombit.

Enver Hoxha

Enver Hoxha dominoi historinë e Shqipërisë në shekullin XX. Ai lindi në Gjirokastër në 1908 në një familje tregtarësh  të klasës së mesme, me vendin ku sot është Muzeu Etnografik. Hoxha mori pjesë në themelimin e Partisë Komuniste në Shqipëri dhe gjatë luftës u bë lideri i saj. Pas luftës, kur komunistët morën pushtetin, duke ndaluar formimin e partive të tjera, Enver Hoxha, si kryetar i partisë, u bë sundues absolut i Shqipërisë.

Gjatë sundimit të pamëshirshëm të Hoxhës, Shqipëria pësoi një industrializim intensiv, sipas modelit ekonomik stalinist dhe me ndihmën e jashtme të Bashkimit Sovjetik. Regjimi i Hoxhës u konfiskoi tokën pronarëve dhe krijoi kooperativat; ai ndërmori projekte masive bonifikimi për të rritur tokën e punueshme dhe për të rritur prodhimin e ushqimit. Të gjitha këto ndodhën në kontekstin e “luftës së klasave”, e cila sanksiononte burgim ose ekzekutim për këdo që i kundërvihej regjimit.

Pas prishjes me Bashkimin Sovjetik Hoxha u bë aleat me Kinën, e cila i dha ndihma ekonomike dhe i frymëzoi përndjekje të mëtejshme, të ngjashme me ato të Revolucionit Kulturor maoist. Shqipëria i prishi marrëdhëniet me Kinën më 1978. Pas kësaj Hoxha vendosi që Shqipërinë e vogël ta bënte krejtësisht të vetëmjaftueshme (siç thoshte ai të mbështetur plotësisht në forcat e veta), duke  mbajtur njëkohësisht metodat staliniste, politikë kjo që çoi në rrënimin e ekonomisë shqiptare.       

Ashtu si edhe Stalini, Enver Hoxha përdori nacionalizmin dhe kultin e tij vetjak për të bashkuar si kurrë më parë elementët e veçuar në Shqipëri, ndërkohë që policia e tij sekrete spiunonte shqiptarët dhe eliminonte armiqtë e tij realë apo imagjinarë. Sidoqoftë regjimi tij përmirësoi standardin e aspekteve të ndryshme të jetesës së shumë shqiptarëve përmes arsimimit të popullsisë dhe sigurimit të shërbimeve, siç ishte elektrifikimi i fshatit. Por paranoja e tij çoi në ndërtimin e qindra mijëra bunkerëve prej betoni për mbrojtjen në vijë të parë nga pushtimet që nuk erdhën kurrë. Më e dëmshme ishte përpjekja e dështuar për vet-mjaftueshmëri të plotë, të cilat shpejtuan rënien e regjimit, pas vdekjes  së tij më 1985.     

Sot Enver Hoxha është në Shqipëri një figurë kontradiktore; për shkak edhe të mënyrave enigmatike me të cilat ai ushtroi ndikimin e tij, ai është vështirë të vlerësohet me objektivitet. Shqipëria vazhdon përpjekjet kundër trashëgimisë së tij, gjë që do t’i duhet ta bëjë edhe në vitet e ardhshme.