Shtëpia e Ficove,
një monument kulture në Gjirokastër

Ndërsa është pa dyshim me prejardhje otomane, arkitektura e ndërtesave historike në Gjirokastër, si dhe vetë qyteti i vjetër, është produkt i shumë përbërësve. Relievi i thyer ka lënë vulën në përcaktimin e vendosjes dhe mënyrën e shtrirjes së qytetit, që u krijua dhe u rrit nëpër kurrizet e kodrave, nën hijen e kalasë. Nga ana tjetër, afërsia e burimeve, prej ku sigurohej guri i nevojshëm për muret dhe për çatitë, mundësoi pamjen e veçantë që ka qyteti.

Gjirokastra ishte një qendër e rëndësishme administrative e shekullit XIX, e populluar nga pronarë tokash që u kishte xhepi të ndërtonin shtëpi-kulla madhështore të fortifikuara. Qyteti ka mbi 500 ndërtesa historike. Veçoritë e jetës së kohës në Shqipëri lanë gjithashtu gjurmë në arkitekturën e tyre: nevojiteshin strukturat mbrojtëse, sepse shqiptarët herë pas here luftonin kundër njeri tjetrit; për më tepër ata rebeloheshin kundra Portës së Lartë në Stamboll. Duhej një vend i sigurt edhe për bagëtinë në dimër; duhej dhe vendi për të rezervuar ujin për gjatë muajve të thatë të verës. Katet përdhese të kullave ishin edhe struktura mbrojtëse edhe magazina të shtëpisë. Ndërsa katet e sipërme shprehnin mikpritjen gjirokastrite, kulturën dhe mënyrën e jetesës së tyre; por, përmes interierëve të pasur, edhe rangun e pasurinë e të zotëve të shtëpisë. Herë-herë kjo e fundit duket sikur tejkalon dukshëm edhe vetë funksionin mbrojtës të shtëpisë.