Evlia Çelebi
Evlia Çelebi (1611-rreth1684) ishte udhëtar dhe kronist turk. Ai u bë i njohur për të dhënat e vëzhgimet që botoi rreth vendeve ku kishte udhëtuar. Bir i një argjendari të oborrit perandorak, ai u edukua në Stamboll. Njihej edhe me emrin Dervish Mehmet Zılli. Shkrimet e para të tij ishin në formë shënimesh të marra gjatë udhëtimeve nëpër Stamboll, në të cilat përshkruheshin ndërtesat, tregjet, zakonet dhe kultura. Udhëtimin e parë jashtë vendit e bëri më 1640. Shënimet e udhëtimit përfshijnë një periudhë 40 vjeçare dhe përmblidhen në një vepër prej 10 vëllimesh, të quajtur Sejahatname (Libri i udhëtimeve). Megjithëse shumë nga përshkrimet e tij janë dukshëm të tepruara, shënimet pranohen gjerësisht si udhërrëfyes i dobishëm i aspekteve kulturore dhe mënyrës së jetesës në Perandorinë Osmane të shekullit XVII. Mes rajoneve që Çelebi vizitoi dhe përshkroi ishin Kaukazi, Lindja e Mesme, Bullgaria, Vllahia, Moldavia, Transilvania, Hungaria, Vjena, Serbia, Kroacia, Bosnja, Dalmacia, Shqipëria, Greqia, Rusia, Meka, Egjipti dhe Sudani.
Evlia Çelebi vizitoi Shqipërinë tri herë. Shumica e shënimeve të tij i përkasin udhëtimit të vitit 1670. Duke ardhur përmes Korfuzit, ai udhëtoi në Gjirokastër përmes Delvinës, e më pas në Tepelenë, Skrapar, Përmet, Berat, Kaninë, Vlorë, Bashtovë, Durrës, Kavajë, Peqin, Elbasan, Strugë, Ohër dhe Pogradec për të vazhduar më tej në Maqedoni.
Fragmenti që pason është nxjerrë nga Libri i Udhëtimeve, 1670.
“...Qyteti i hapur është vendosur mbi 8 kodra dhe luginat nga të gjitha anët e kalasë, me shtëpi shumëkatëshe, me çati prej guri dhe të rrethuara nga kopshte dhe hardhi. Secila nga këto shtëpi të ndërtuara mirë ka një kullë. Muret rrethuese të oborreve janë të ndërtuara me një lloj graniti të bardhë, punuar nga mjeshtra gurgdhendës, sikur të ishin tulla Ankaraje prej balte. Mure të tilla kanë si të pasurit ashtu edhe të varfrit. Gurë të prerë në formë katrore nuk gjenden veçse në qytetet e Tirit dhe Manisës në Anadoll... Mënyra e ndërtimit të mureve të jashtme të shtëpive nuk ka shoqe në botë. Ato janë të gjitha 20 inç të larta, të bëra me blloqe guri ranor të kuq, thjesht të vendosura gur mbi gur, pa baltë, gëlqere apo llaç për t’i lidhur. Muret dhe shtëpitë janë qindravjeçare që nga koha e të pafeve. Qyteti ka një klimë shumë të mirë dhe për këtë arsye, banorët kanë fizik të shëndetshëm... Gjirokastritët mbajnë zi për të afërmit e vdekur për 40-50 apo edhe 80 vjet... për këtë arsye unë e quajta Gjirokastrën “qyteti i vajtimit”. Është çudi e madhe se si vajtojcat profesioniste vajtojnë me kaq ndjenjë...”